Një puthje midis Ledianit dhe Elhaida Danit foli më shumë se çdo fjalë. Këngëtarja e njohur dhe balerini i saj në “Dancing With The Stars” përpos partnerë në skenë në këtë spektakël tanimë janë edhe partnerë në jetë.
Mirëpo aq sa puthja e tyre para të gjithëve, bëri bujë të madhe edhe fakti që balerini në fillim në “DWTS” ishte parë me një unazë fejese në gisht.
Pas bërjes publike të romancës me Elhaidën, doli në dritë edhe fakti që ai prej vitesh ka qenë i fejuar me një bionde simpatike të quajtur Ditjona Bora, lidhje e cila nuk ka shumë që ka përfunduar. Ndonëse arsyet e ndarjes nuk janë bërë kurrë të ditura.
Kjo ka sjellë edhe një lumë komentesh në rrjet, kryesisht drejtuar këngëtares. Kjo e fundit ka reaguar në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku thekson se “nuk ka thyer asnjë kod, qoftë edhe moral.”
“Si asnjëherë tjetër në karrierën time, përtej bashkëpunimit profesional, ndjeva emocione dhe shkëndija të sinqerta, të cilat nuk i përmbajta dot. Besoj shumë te forca që rrezaton dashuria për të frymëzuar, reflektuar në pozitivitet për t’i bërë njerëzit më të mirë, ndaj, kjo shpjegon arsyen pse vendosëm t’i ndajmë me publikun ndjenjat që kemi. Nga reagimet tuaja kuptova që veprimet tona mund të jenë dukur të nxituara pasi kanë shkaktuar indinjatë duke konsideruar disa rrethana, të cilat i kemi sqaruar përpara se kjo marrëdhënie të niste. Më besoni që unë nuk kam thyer asnjë kod, qoftë edhe moral. Por, nuk jam unë personi që duhet t’i sqarojë mirë për publikun. E ndjej që mund të kem zhgënjyer disa prej jush (edhe pse pa ditur historinë e vërtetë) dhe për këtë jam mërzitur, sepse e di që dashuria dhe marrëdhëniet mund të jenë komplekse. Në finale, dua gjithsesi të kërkoj ndjesë për çdo shqetësim që mund të kem shkaktuar. Jam e përkushtuar të vazhdoj të punoj fort për të merituar”, shkruan Elhaida.