Shqiptarët e dënuar me burg në Britaninë e Madhe do të kthehen në atdhe për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tyre, i ‘vulosur’ nga gjyqtari anglez. Lajmin e ka bërë me dije DailyMail, media që shkruan se ky vendim është marrë nga qeveria shqiptare, si një ‘dhuratë’ për kriminelët shqiptarë, por kjo pikë është gjithashtu pjesë e marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut Rishi Sunak.
Të parët vijnë në janar
Në total, do të vijnë në Shqipëri 50 të burgosur, 10 të parët pritet të nisën gjatë javëve të para të janarit, ndërsa të tjerët pak më vonë.
“Ky është një hap i parë që sjell largimin e qindra kriminelëve shqiptarë të burgosur, duke kursyer miliona paund para të taksapaguesve britanikë dhe duke krijuar hapësirë në burgjet e stërngarkuara. Të gjithë të burgosurit e dërguar në shtëpi do të vuajnë dënimin e plotë të vendosur nga gjyqtarët e Mbretërisë së Bashkuar. Bisedimet intensive mes Ministrisë së Drejtësisë së Britanisë dhe ministrit shqiptar Ulsi Manja, kanë çuar në një pakt për transferimet e para në burg. Ne kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati të përmbushim detyrimet tona, kemi rënë dakord të dërgojmë 50 shqiptarë që kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer,”- shkruhet në artikull.
Shqiptarët në burgjet angleze
Shtetasit shqiptarë përfaqësojnë rreth 10 për qind të të huajve të mbajtur në burgjet angleze dhe të Uellsit. Në numërimin e fundit kishte më shumë se 1,336, numri më i madh i kriminelëve të huaj që ndodhen pas hekurave.
Disa prej shqiptarëve që vuajnë dënimet më të gjata në burg janë dy vrasës dhe tre ‘baronë’ të drogës, të cilët aktualisht janë dënuar me gjithsej 143 vjet burg – me një kosto prej 6,864,000 £.
Emrat e të dënuarve
Përmendim këtu Koçi Selamaj, 37 vjeç, që vuan dënimin më të gjatë mes 1,336 të burgosurve shqiptarë. Ai goditi mësuesen Sabina Nessa ndërsa ajo ecte nëpër një park në Londër në shtator 2021 dhe u dënua me 36 vjet.
Një tjetër vrasës, Ali Qazimaj, 48 vjeç, nga Tilbury, Essex, u dënua me 35 vjet në 2017 për vrasjen e Peter Stuart, 75 vjeç, gruaja e të cilit Sylvia, 69 vjeç, nuk u gjet kurrë. Mes mbretërve të drogës të burgosur janë Valjet Pepaj, 32 vjeç, me 27 vjet burg, Erald Mema, 37 vjeç me 25 vjet burg dhe Sami Qerkini, 57 vjeç, i dënuar me 20 vjet.
Të gjithë, në të ardhmen, do të jenë në burgjet shqiptare sipas marrëveshjes.
Si u prit lajmi në Angli
Lidhur me lajmin, mbështetësi i konservatorëve, Lee Anderson tha: Ky është një lajm i madh. Ne nuk i duam këta njerëz në burgjet tona dhe nuk i duam këta njerëz në vendin tone!
Më shumë se 13,000 kanë arritur në Britani nga Franca veriore këtë vit dhe tani përbëjnë një të tretën e emigrantëve të paligjshëm, pavarësisht se Shqipëria është një aleat i sigurt i NATO-s që dëshiron të bashkohet me BE.
Ambasadori shqiptar
Ambasadori shqiptar në Britani pranoi në fillim të këtij muaji se emigrantët nga vendi i tij ‘po pretendojnë’ se jenë viktima të ‘skllavërisë moderne’. Qirjako Qirko u tha deputetëve se shumë shqiptarë që kalojnë Kanalin me gomone janë ‘thjesht emigrantë ekonomikë’.
Ai gjithashtu deklaroi vazhdimisht se vendi i tij është ‘i sigurt’, që do të thotë se nuk kishte nevojë që qytetarët e tij të iknin si azilkërkues. Në nëntor, zyrtarë të lartë të FBI-së thanë se kriminelët shqiptarë po kryejnë ‘manipulim të hapur’ dhe madje janë ‘trajnuar’ se çfarë të thonë nëse arrestohen. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) tha se grupet shqiptare të krimit të organizuar po sjellin punëtorë në Britani, për të punuar në tregtinë e drogës, si fermat e kanabisit.
Tregtia e drogës
Tregtia e drogës e lidhur me Shqipërinë është aktive në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në qytete, qyteza dhe madje edhe zona rurale. Disa avokatë, kontabilistë dhe profesionistë të tjerë shqiptarë me bazë në MB mendohet se po mbështesin sipërmarrje të mëdha kriminale, shtuan zyrtarët.
Ish-sekretari i Brexit, David Davis, u ka kërkuar ministrave të ndjekin shembullin e më shumë se një duzinë vendeve evropiane, të cilat refuzojnë të gjitha kërkesat për azil nga shqiptarët. Deputeti konservator tha se të dhënat tregojnë se Britania e Madhe pranoi kërkesat e Shqipërisë për azil në një nga normat më të larta në botë. Ai publikoi shifra që tregonin se 14 vende evropiane nuk pranuan asnjë kërkesë për azil nga shqiptarët që ishte bërë vitin e kaluar.