Hetimet e tre prokurorëve të SPAK, për organizimin e vrasjes se mbetur në tentativë ndaj Sokol Sanxhaktarit, në Elbasan, kanë çuar oficerët në verifikimin e çdo udhëtimi, jashtë shtetit të disa prej emrave që janë treguar nga Nuredin Dumani. Gazetari Elton Qyno shkruan për OraNews se Byroja Kombëtare e Hetimet, është urdhëruar të marrë të dhënat nga sistemi TIMS, çdo të dhënë të udhëtimeve të përbashkëta mes personazheve të njohur të botës së krimit, si Elvis Koçi alias Çaushllari, Erion Çapja, Florenc Çapja, Bledar Muça, Eljo Bitri dhe të shumë personave të tjerë.
Verifikimi
Verifikimi është kryer në fund të nëntorit, për të mësuar më shumë rreth dyshimeve për udhëtime në Kosovë të këtyre personave, shtet në të cilin qëndronte i strehuar Nuredin Dumani. Prokurorët kanë kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor edhe të dhëna mbi pronësinë e mjetit tip “Audi A7” me targë AA257ZB, mjet me të cilin Dumani ka treguar se udhëtoi me Ervis Çaushllarin dhe Eljo Bitrin, nga Rrogozhina për Elbasan, aty ku ka takuar Florenc Çapjan dhe Bledar Muçën. Makina përdorej nga Ervis Çaushllari, por në pronësi rezulton të jetë në emër të Raif dhe Hasim Çaushllarit.
Plagosja
Ervis Koçi alias Çaushllari (Vis Korçari) mbeti i plagosur si pasojë e një shkëmbimi zjarri me armë me personat e tjerë të përfshirë në konflikt. Ai është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim. I dënuar për këtë ngjarje është dhe Migert Qosja, i cili rezultoi të ishte personi që ka plagosur Ervis Çaushllarin, ndërsa me 9 muaj burgim për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” janë dënuar dhe Ersi Çekani, Armand Cevelin e Feliks Filja.
Ngjarja e rëndë ku u përfshi Sanxhaktari
Vetë Sokol Sanxhaktari, dhëndrri i kryebashkiakut Qazim Sejdini është dënuar nga Gjykata e Apelit Durrës me 15 vite burg për vrasjen e mikut të tij të ngushtë, Florian Lamçe, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Elbasan. Ai përfitoi nga procesi me gjykim të shkurtuar dhe do të vuajë vetëm 10 vite nga dënimi i marrë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 30 korrikut të vitit 2020. Sanxhaktari, Lamçe e Adriano Hajdari po festonin të tre në një lokal ku po konsumonin alkool e lëndë narkotike. Por, gjatë natës, gjakrat u ndezën mes të rinjve. Hajdari e Sanxhaktari e kanë goditur me karrige dhe e kanë rrahur në mënyrë makabre Lamçen. Më pas, ata e kanë dërguar Lamçen në spital, por përpjekja ka qenë e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë.