Pas pak ditësh fillon Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Në një konferencë për mediat, ku pjesë ishin dhe artistët konkurentë, moderatorja Arbana Osmani zbuloi disa detaje më të hollësishme.
Ajo tregoi se këtë vit, pjesëmarrëse do të jenë 26 këngë, ku 10 prej tyre vijnë nga artistë të rinj. Sakaq, do të jenë katër netë, në dy të parat do të paraqiten këngëtarët me performancat e tyre, ndërsa nata e tretë, do të jetë një mbrëmje gala, në të cilën do të performohen këngë të Festivalit ndër vite të orkestruara nga Shpëtim Saraçi.
Më tej, ajo zbuloi se e ftuar speciale do të jetë aktorja e madhe Margarita Xhepa, balerinët e famshëm edhe jashtë kufijve tanë, Kledi Kadiu dhe Ambeta Toromani, edhe Gala Aliaj, vajza e Robert Aliaj, që po garon aktualisht për të përfaqësuar Belgjikën në Eurosong.
Osmani theksoi se janë në tentativa që grupi ukrainas fitues i Eurovizionit vitin e shkuar, të jenë pjesë e finales, mirëpo, nuk kanë arritur ende në një vendim përfundimtar pasi ata janë shumë të angazhuar.
E pyetur lidhur me zërat që qarkullojnë në media se fituesi është përcaktuar, Arbana i konsideroi vetëm fjalë, të cilat kanë nisur që në verë. Sipas saj, që atëherë u përfol se do të ishte fitues Ylli Limani, por ai nuk u bë fare pjesë e Festivalit.
Më tej, ajo sqaroi se ndryshe nga herët e tjera se këtë herë, fituesi që do të shkojë në Eurosong do të zgjidhet nga publiku, ndërsa juria do të shpall një tjetër fitues. Ndërkohë do të jepen edhe çmime të tjera, si ai i kritikës apo edhe për artistin më të mirë të ri.
Sa i përket, prezantimit, Osmani theksoi se nuk do të jetë vetëm në skenë, por zgjodhi të mos zbuloi ende emrin që e do shoqërojë.