Çdo fundvit edhe Google bën bilancet e tij lidhur me kërkimet që janë bërë gjatë vitit, e përjashtim nuk bën as Shqipëria.
Specialisti i IT-së Tomi Kallanxhi tregoi në emisionin ‘Goca dhe Gra’ se personazhe si Amber Heard dhe trafikantët kanë qenë ndër më të kërkuarat, mes tyre përmendi të vrarin Ergys Dashi dhe Ervis Martinajn, i cili rezulton i zhdukur që prej muajit gusht.
Por nuk u ndal vetëm në këto të dhëna. Sipas tij, Berati është qyteti ku kërkohet më shumë kategoria porno dhe pas tij vjen Gjirokastra, Dibra, Lezha dhe Fieri. Tirana është e fundit. Ndërsa Kupa e Botës, po shihet më pak në Berat.
Nuk kishte si të mungonte lufta në Ukrainë që ka qenë po ashtu një nga temat kryesore të këtij viti pas pandemisë së koronavirusit. Më “të tremburit” për luftën kanë qenë vlonjatët, të ndjekur nga Tirana dhe Lezha. Kurse më pak të interesuarit kanë qenë kukësianët.
Këmbimi i parave ishte një nga gjërat më të kërkuara në Top 10. Qyteti që kërkoi më shumë për lotarinë amerikane ishte, pa surprizë: Korça. Gjithashtu, një nga togfjalëshat më të kërkuar në 2022-shin është Panairi i Librit. Përfundimisht shqiptarët “vdesin” për pak thashetheme, qoftë për vajzat e botës së spektaklit, qoftë edhe për personazhet e botës së krimit.