Kur kanë kaluar 6 muaj e gjysmë nga zhdukja e tij, nëna e Ulvi Skanës, Thëllëza i ka humbur shpresat se ai mund të jetë gjallë, por kërkon që t’i kthehet trupi i të birit. Në një rrëfim për emisionin ‘Pa Gjurmë’, Thëllëza thotë se kërkon nga Policia që të zbardhë të vërtetën për të birin.
Ndërsa e pyetur për lidhjen e djalit të saj me Ervis Martinajn, edhe ky i zhdukur, thotë se nuk janë të vërteta. Për të, djali i saj kishte të vetmin faj se ishte shok me Can Karriqin që e kishte fqinj.
“Si ka mundësi që të humbasë në atë farë feje. Djali nuk ka pas lidhje me grupet kriminale, jam 100% e sigurt, na e kanë njollosur edhe emrin, ai nuk është vrasës, vjedhë jo. Ai kishte 3 ditë pasi kishte ardhur nga Belgjika. Prishi disa lekë që ia kishte dhënë vëllai i vet, dhe rrinte si i urtë. Ndenji nja 12 ditë në Belgjikë, nuk gjeti punë dhe erdhi,. Ka qenë dhe në Gjermani, kishte marrë ekspuls, por ne ia hoqëm. Shkoi te një shok që i kishte marrë disa lekë borxh, nuk e dimë se cili ka qenë ky shok.
Can Karriqi e kemi pasur në lagje. Vëllai i vogël i bërtiste shumë, ishte i miri i shoqërisë dhe i keqi i shtëpisë. Nuk punonte, nuk ka pas lekë. Nuk më ka sjellë asnjë problem te shtëpia. Oh sa e vuaj humbjen e tij. Unë si nënë flas kot, se nuk e di a e kam gjallë, përderisa nuk më jepet asnjë pistë. Mund të ketë bërë edhe ndonjë gjë, nuk e di. Policia na thotë vetëm bëjmë hetimoret tona, po më jepni dhe mua një të dhënë që të më qetësohet shpirti. Ja gjallë ja vdekur, e kam të pafajshëm. Thonë që ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, po unë nuk e kam parë. S’e njeh fare Ervis Martinin. Ik mos ma përmend, edhe kur u vra dikush në Laprakë, ai ka qenë në gjumë, me Can Karriqin, e kemi pasur fqinj,”- tregon e ëma.
Prej datës 17 maj, i riu Ulvi Skana, 29 vjeç ka humbur gjurmët dhe nuk ka pasur më kontakte me familjen e tij.