Një 25-vjeçar nga Ukraiana është arrestuar nga Policia e Vlorës pasi u kap në flagrancë duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.
Dmytro Serhiienko u vu në pranga në dalje të autostradës Vlorë-Fier.
Ai tashmë do të përballet me akuzën e ‘dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit’ ndërkohë materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Vlorë/Goditet 1 rast tjetër i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Transportonte kundrejt fitimit, 4 emigrantë, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 25-vjeçari nga Ukraina. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të punës me fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë kundrejt fitimit, emigrantëve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kanë konstatuar një rast tjetër të kësaj veprimtarie.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi ukrainas D. S., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ky shtetas u kap në flagrancë, në hyrje të autostradës “Vlorë-Fier”, duke transportuar me automjet, kundrejt përfitimit, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.