Në Mekë janë mbledhur më shumë se 1.5 milionë besimtarë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në pelegrinazhin e Haxhit, një ritual i përvitshëm i kalendarit Islam. Pelegrinazhi shënon një nga 5 shtyllat e Islamit dhe është një nga tubimet fetare më të mëdha në botë.
Në mesin e mijëra besimtarëve mungojnë shiitët iranianë, të cilët u ndaluan nga Arabia Saudite për të marrë pjesë në pelegrinazh, për shkak të tensioneve midis Riadit dhe Teheranit.
Pelegrinazhi i besimtarëve po zhvillohet në kushte të rrepta sigurie për të parandaluar tragjedi si ajo e një viti më parë, ku humbën rreth 2.300 persona si pasojë e turmave të pakontrolluara.
Për 14 shekuj, myslimanët mblidhen në Mekë për të ndjekur shembullin e profetit të tyre, Muhamet. E shtuna është dita e parë e Haxhit, kur besimtarët i japin ujë kafshëve dhe rimbushin rezervat e ujit. Ndërsa dita e djelë konsiderohet si pika kulmore e pelegrinazhit, ku besimtarët i drejtohen malit Arafat.