Dhjetëra shqiptarë të veshur me ngjyrat e flamurit Kuq e Zi dhe nën ritmin e këngëve patriotike janë mbledhur për të protestuar kundër deklaratave të bëra nga sekretarja e Brendshme britanike Suella Braveman.
Të indinjuar nga etiketimet fyese, emigrantët shqiptarë që jetojnë në Angli po protestojnë në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, pranë “Westminster Bridge”.
Mediat angleze prej ditësh mbajnë në faqet e para çështjen e emigrantëve shqiptarë, ku thonë se rritja e numrit të të rinjve që mbërrijnë në Angli lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e vështirë ku ndodhet Shqipëria për shkak të keqqeverisjes dhe nivelit të lartë të korrupsionit.
Lexo edhe: “Kundër poshtërimit”/ Shqiptarët në Londër dalin sot në protestë
Rreth 40 mijë emigrantë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Angli, mes tyre 12 mijë shqiptarë. Shumica prej tyre sipas autoriteteve britanike janë meshkuj dhe në gjendje të mirë fizike. Por ata nuk janë të mirëpritur në Britaninë e Madhe dhe kërkesat e tyre për azil cilësohen si të pajustifikueshme.
Shumica e shqiptarëve që largohen drejt Britanisë nisen nga Tirana ose Prishtina për të shkuar në Francë nga ku nisen me gomone nga Kanali i La Manshit dhe më pas zbarkojnë në Durkin. Trafiku sipas mediave britanike zhvillohet nga kontrabandistët kurdë dhe kalimi kushton deri në 12 mijë paund.