Ekspertiza për vdekjen e 34- vjeçarit Indrit Ndoj në Fushë-Krujë, tregon se i riu nuk është vrarë me armë zjarri por është goditur për vdekje me një kaçavidë në arterien femorale. Konfirmohet nga policia e Durrësit se në këtë ngjarje nuk është përdorur armë zjarri.
Kujtojmë se 34- vjeçari Indrit Ndoji u gjet i pajetë në kanal në lagjen “Bakishe Visha” në Fushë-Krujë ku jetonte, nga familjarët e tij.
Indrit Ndoj raportohet se ka qenë nën masën e arrestit të shtëpisë për arrestimin e tij në shtator të vitit 2021 për trafik klandestinësh, ndërsa trupi i pajetë i tij është gjetur 24 orë pasi është vrarë.
Nëna e viktimës tregoi për hetuesit takimin e saj të fundit me djalin, para se t’a gjente të vrarë në kanal. Ajo pretendon se ka folur me të birin pasditen e së enjtes dhe e ka pyetur të birin nëse do të shkonte në shtëpi në mënyrë që t’i bënte bukën, dhe 34-vjeçari i ka thënë se do të vijë, por nuk u kthye më.