Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato ka përfunduar pak minuta më parë dëshminë në SPAK. Jashtë dyerve të SPAK, ajo ka deklaruar për gazetarët se është pyetur si person që ka dijeni pa dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë proces.
“U pyeta si person që ka dijeni. Edhe dorëheqja për këtë kallëzim, që SPAK të ketë mundësi të bëjë drejtësi”, ka deklaruar ajo.
Mësohet se janë dy çështje për të cilat është thirrur të japë sqarime në SPAK Sonila Qato. Arsyeja e parë lidhet me një kallëzim që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe e dyta për tenderin Kardhiq-Delvine! Qato është nën akuzë për shpërdorim detyre dhe pabarazi në tendera. Sonila Qato në fundin e marsit të një viti më parë ka kundërshtuar vendim e SPAK për të zgjatur afatet e hetimit të nisur për të.
Ish drejtoresha e ARRSH ka qenë në hetim për “shpërdorim detyre” pas një kallëzimi nga një kompani ndërtimi për pabarazi në tendera. Kontrolli i Lartë i Shtetit e kallëzoi për ndjekje penale në Prokurori ish drejtoren e Autoritetit Rrugor për abuzim 5 milionë euro me tenderin e rrugës Kardhiq- Delvinë.
Pas auditimit të tenderit, KLSH kërkoi hetim të thelluar penal ndaj zonjës Qato duke e akuzuar se ka skualifikuar pa të drejtë ofertën më të ulët, atë të paraqitur nga kompania “Gjoka Konstruksion”.