Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur vizitën zyrtare në Romë ku është takuar me homologun italian, Paolo Gentiloni, me të cilin ka bashkëbiseduar për zhvillimet më të fundit dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.
Kryediplomati kosovar ka kërkuar mbështetjen e Italisë për liberalizimin e vizave për kosovarët disa ditë para votimit në Parlamentin Evropian, si dhe për një sërë organizatash ndërkombëtare ku Kosova synon anëtarësimin.
“Ishte një takim shumë miqësor dhe përmbajtësor ku ngritëm dhe u pajtuam për shumë fusha që janë me interes për të bashkëpunuar mes Kosovës dhe Italisë. Dhe jam i kënaqur të flasë për një kapitull të ri të marrëdhënieve që nuk do të ndalet vetëm në konsultimet vjetore politike por edhe bashkëpunimet konkrete ekonomike, tregtare dhe kulturore. U pajtuam që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të organizojmë një forum të madh ekonomik mes vendeve tona që do të mbahet në Itali. Një mundësi e madhe për të prezentuar Kosovën para intevstitorëve italianë” ka thënë Hoxhaj.