Moderatorja e njohur Ori Nebijaj njihet për natyrën e saj të çlirët, natyrale dhe pa komplekse, megjithatë nuk është aq e hapur për të folur rreth jetës së saj private dhe jetës romantike. Dhe ndonëse vetë Ori nuk flet për punët e zemrës, kjo nuk do të thotë se asgjë nuk zien. Ajo është parë së fundmi në krahët e një djali.
Bëhet fjalë për të riun me emrin Dean Çelaj. Ai është 25 vjeç, rreth 10 vite më i ri se prezantuesja. Çelaj është i biri i biznesmenit Dritan Çelaj dhe ka mbaruar shkollën në Harvard. Pak informacione dihen rreth Deanit, i cili disa muaj më parë ishte i ftuar pikërisht në emisionin e mëngjesit që prezantonte Ori, në “Wake Up”.
Ai ka themeluar platformën “Akademia. al”, për të cilën mori një çmim edhe nga Këshilli Europian dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse mori një ftesë për në emisionin e mëngjesit.
Deri më tani, nga vetë dy protagonistët nuk ka ende asnjë konfirmim, por fakti që kanë filluar të shfaqen bashkë në kryeqytet, tregon se ata nuk fshihen më.
Kujtojmë se para disa vitesh, Ori u përfol për një lidhje me bashkë-prezantuesin Isli Islami. Ata janë një nga dyshet më të diskutuara të televizionit, për shkak të kimisë që kanë shfaqur që në fillim bashkë.
Në shumë raste është dyshuar për një raport më shumë se miqësor mes tyre dhe shpesh fansat janë shprehur të bindur se ata janë të lidhur bashkë. Pak kohë më parë, Ori tha në një intervistë se ajo dhe Isli janë thjesht miq shumë të mirë.