Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, dy viktimat e atentatit mafioz sot në dalje të Vlorës dyshohet se ishin nisur drejt burgut të Lushnjes në momentin kur ndodhi ngjarja.
Dyshohet se dy viktimat kishin me vete në makinë rroba të cilat dyshohet se do ia dërgonin në burg Eduart Xhezos, i dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Arben Beqirajt.
Ata dyshohet se u qëlluan me breshëri plumbash nga një automjet që po lëvizte paralel me ta.
Pak minuta pas ngjarjes së rëndë policia gjeti një automjet të djegur i cili dyshohet se i përket autorëve të krimit, si dhe tre kallashnikovë brenda saj.
Pista kryesore ku po heton policia është ajo e hakmarrjes, për shkak të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019 ku u vra me armë zjarri biznesmeni Arben Beqiraj pas sherrit për një kalë me rojen që paguhej nga Eduart Xhezo.