Një zjarr ka rënë në kurorën me pisha të Kalasë së Beratit, në anën perëndimore. Zjarrëfikësit u njoftuan në kohë dhe drejt zonës së zjarrit u nisën 2 mjete dhe 6 punonjës të Repartit të Shpëtimit nga Zjarri.
Fatmirësisht zjarri u kap në kohë dhe u lokalizua shpejt, pa mundur të depërtonte më në brendësi të kurorës me pisha dhe drejt kishave antike të zonës.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se zjarri në Kalanë e Beratit ishte i qëllimshëm pasi ishte vendosur në tre vende të ndryshme dhe në distancë të njëjtë nga njëra-tjetra.
Po punohet tashmë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj zjarrëvënie të qëllimshme e cila nëse nuk do të ishte kapur në kohë mund të kishte pasur pasoja të rënda në lagjen muzeale Kala.