Policia e Tropojës njofton se janë shpëtuar dy turistë gjermanë që kishin ngecur në malet e Tropojës. Turistët janë gjetur dhe janë transportuar disa orë me krahë dhe më pas me helikopter drejt Tiranës.
Dy turistët kanë qenë duke eksploruar zonën e quajtur “Curraj i Epërm” dhe për shkak të lodhjes dhe errësirës nuk mund të vazhdonin ecjen. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët. Pas disa orësh kërkimesh intensive në këmbë, në terrenin e thepisur, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Vashqefen”.
Punonjësit e Policisë fillimisht i nxorën 2 turistët nga terreni i rrezikshëm dhe më pas i kanë transportuar ata deri në vendin ku ishte e mundur ulja e helikopterit. Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, janë transportuar në spitalin e Tiranës dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.