Policia rrugore vijon aksionin e saj në akset rrugore në Vlorë dhe Sarandë për të kapur shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor dhe për të parandaluar aksidentet. Mësohet se gjatë operacionit të “Rrugores” me radarë, dronë, kamera dhe alkooltestues janë evidentuar disa shkelje. Bëhet me dije se Rrugorja ka arrestuar 5 drejtues mjetesh dhe ka vënë nën hetim 4 të tjerë.
Blutë bëjnë me dije se janë pezulluar gjithashtu dhe 18 patenta, nga të cilat 10 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 4 për drejtimin mjeti, nën ndikimin e alkoolit, dhe 4 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Në njoftim theksohet se janë vendosur gjithsej 1339 gjoba, për tejkalim shpejtësie, parakalim të gabuar dhe një sërë shkeljesh të tjera.
“Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për sezonin turistik, duke përdorur radarë, dronë, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, janë arrestuar 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Janë pezulluar 18 leje drejtimi, nga të cilat 10 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 4 për drejtimin mjeti, nën ndikimin e alkoolit, dhe 4 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë vendosur gjithsej 1339 masa administrative, nga të cilat:
– 193 masa për tejkalim shpejtësie;
– 46 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
– 52 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
– 14 masa për përdorimin e aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit;
– 138 masa për parakalime të gabuara;
– 594 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit;
– 302 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Vlorës apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e alkoolit dhe celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë.”-njofton policia rrugore.