Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca nuk di të ndalet me idetë absurde të cilat sipas saj do të nxisin zhvillimin e bujqësisë në vend. Pas deklaratës që bëri xhiron e rrjeteve sociale ku shprehej se do të hapej një akademi për barinjtë, Krifca ka një tjetër perlë.
Nga foltorja e Kuvendit, Krifca tha se qeveria do të ngrejë një program falas online për fermerët që do t’i mundësojë të punojnë tokën apo të njohë tipet e saj.
“Po kryejmë dixhitalizimin e sistemit të programit në mënyrë që i gjithë informacioni të procesohet online, të shkurtojmë kohë deri në lidhjen e kontratave duke e bërë kështu zbatimin e këtij programi online një ndër të para në rajon. Për rritjen e efektivitetit të përdorimit të tokës bujqësore, që është qëllimi i interpelancës, kemi ngritur programin e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës.
Kemi ndërtuar një sistem me të dhëna kadastrale të cilësisë së përdorimit të tokës, program i cili do t’u mundësojë fermerë akses online të të dhënave dhe tipeve të tokës, kulturave dhe përshtatshmërinë bujqësore që është më e udhës të kultivohen me bazën e të dhënave për në nivel parcele. Ofrojmë informacion shtesë kështu për të gjithë fermerët, i cili do të jetë falas, për sipërmarrësit që duan të investojnë në bujqësi dhe të kulturave më të përshtatshme që duhet të kultivojnë në tokën e tyre. Fermeri merr informacion për cilësinë e tokës ku do të dojë të ndërtojë fermën e tij.”-u shpreh ministrja Krifca.