Ish deputetja e LSI Floida Kerpaçi në emër të LSI i ka bërë thirrje SPAK që të ketë prioritet zbardhjen e plotë dhe pa kompromis të aferës korruptive më të madhe në historinë e Shqipërisë atë të tre inceneratorëve.
“Mbi 500 mijë qytetarë janë larguar nga Shqipëria për të mos u kthyer më. Largimi i të rinjve po vijon me shifra të frikshme duke e bërë Shqipërinë vëndin me shifrat më alarmante të emigrimit dhe të azilkërkuesve. Shqiptarët po largohen çdo ditë sepse shohin që e mira publike me skemat e koncensioneve dhe PPP-ve korruptive po jepen nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në kurriz të shqiptarëve dhe në favor të pasurimit personal të tyre. Paratë në vend të ndihmës së shqiptarëve gjatë Covid ato shkonin për të furnizuar skemën korruptive të inceneratorëve”, tha ish-deputetja e LSI.
Kërpaçi tha se paratë në vend që të shkojnë për të ndihmuar qytetarët shqiptarë shkojnë për të furnizuar skemën korruptive të inceneratorëve.
“Në vend të përmirësoheshin shkollat qeveria ka ndërtuar një plan 30 vjeçar me inceneratorët se si taksat e rritura të qytetarëve ti kthej në makineri të maxhorancës dhe patronazhimit. E vetmja gjë që kërkojmë është transparencë. Ku është investimi që paguhet çdo ditë për inceneratorin e Tiranës. Në emër të LSi i bëjmë thirrje SPAK të ketë prioritet zbardhjen e plotë dhe pa kompromis të aferës korruptive më të madhe në historinë e Shqipërisë atë të tre inceneratorëve. SPAK nuk duhet të bëhet bashkëfajtor me Edi Ramën dhe Erion Veliajn”, tha ish-deputetja e LSI.