“Nëse do ishte përdorur pompë elektrike s’do kishte pasur humbje jete”, kështu ka deklaruar njëri nga zjarrfikësit që ndihmoi në nxjerrjen nga pusi të dy shokëve në Mallakastër, ku njeri prej tyre ndërroi jetë rrugës për në spital.
Zjarrfikësi ndër të tjera ka deklaruar se kur mbërritën në vendngjarje ata kanë qenë me shenje jete.
Madje tregoi ai, kanë komunikuar me dy të rinjtë që kishin ngecur në thellësinë e pusit. Zjarrfikësi tregoi se operacioni i shpëtimit ishte shumë i vështirë për shkak të thellësisë së pusit dhe gjatë tentativës për nxjerrjen e dy shokëve të asfiksuar kanë rrezikuar edhe jetët e tyre.
Gjithashtu, theksoi se hasën vështirësi për të mbërritur në vendngjarje për shkak se nuk kishte rrugë. Ai zbuloi se shkaku kryesor i asfiksisë, që i mori jetën 38-vjeçarit Besnik Velaj, ishte përdorimi i pompës me gaz.
“Njëri nuk mbijetoi, tjetri është në spital. Kemi folur, kemi pasur kontakt me të. Shpëtimi ishte i vështirë për shkak të terrenit dhe thellësisë së pusit, edhe rrugë nuk kishte. Operacioni ishte i vështirë, me litar, të dy personat ishin atje. Ne ishim 7 veta në ekip dhe kemi rrezikuar jetën tonë. Të dy ishin me shenja jete, kemi komunikuar me ta. Por për shkak të thellësisë së pusit, ujit zëri nuk shkonte mirë. Nuk mendoj se ka pasur shpërthim gazi, por mendoj se shkaku kryesor i humbjes së jetës së njërit prej tyre ishte përdorimi i pompës me benzinë. Nga çlirimi i gazrave që ka bërë pompa në pus të dy personat janë asfiksuar. Është gabim që nuk duhet bërë, nuk do kishte ndodhur nëse do kishte pompë elektrike”, tha ai në “Shqipëria Live”.