Në Ministrinë e Brendshme do të shtohen numri i punonjësve. Vendimi është marrë ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Sipas VKM-së, numri i punonjësve organikë të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2022, shtohet me 30 veta, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe numri i përgjithshëm i sistemit të ministrisë bëhet 15 141 punonjës.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR NJË SHTESË NË NUMRIN E PUNONJËSVE ORGANIKË TË MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Numri i punonjësve organikë të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2022, shtohet me 30 (tridhjetë) veta, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe numri i përgjithshëm i sistemit të ministrisë bëhet 15 141 (pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet e një) punonjës.
Numri i punonjësve rezervë të buxhetit pakësohet me 30 (tridhjetë) veta dhe numri i përgjithshëm i punonjësve rezervë mbetet 10 (dhjetë) veta.
Ngarkohet Ministria e Brendshme të depozitojë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve shtesë, sipas këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI ARBEN AHMETAJ