Kompania e inceneratorëve “Integrated Energy” ka dalë me një reagim publik pas denoncimeve të reja dhe dokumenteve që LSI do të depozitojë në SPAK, të cilat Monika Kryemadhi tha se tregojnë evazionin fiskal që kanë kryer 24 kompani me Klodian Zoton.
Impianti i Përpunimit të Mbetjeve Tiranë në një postim në Facebook thotë se IEBV, nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Znj. Kryemadhi duke hedhur poshtë akuzat e LSI.
Po sot, Kryetarja e LSI doli në një deklaratë për mediat dhe përmendi reagimin e kompanisë dhe tha se “sapo u njoha me një deklaratë të kompanive të inceneratorëve që është kompani që ka përfituar mbi 100 mln usd nga buxheti i shtetit”.
Reagimi nga IEBV – Impianti i Përpunimit të Mbetjeve Tiranë
TIRANE. Dt. 5. 7. 2022
Deklaratë e Shoqërisë Koncesionare Integrated Energy BV SPV
Ditën e djeshme opinioni publik ra preh e dizinformimit të qëllimshëm, me akuzat e hedhura kundrejt Shoqërisë tonë nga kryetarja e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) Znj. Monika Kryemadhi. Sipas saj një skemë mashtrimi me TVSH, e disa kompanive fiktive që kanë operuar në Shqipëri ka përfshirë Integrated Energy BV SPV (IEBV). Po sipas saj këto kompani kanë pasur marrëdhënie tregtare me Shoqërinë Koncesionare Integrated Energy BV SPV, e cila ndërton dhe menaxhon Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë.
Në interes të publikut deklarojmë se:
IEBV, nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Znj. Kryemadhi. Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Znj. Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona.
Asnjë shpifje dhe baltosje nuk mbulon investimin dhe punën e Shoqerisë Koncesionare IEBV.
Dokumentet dhe e vërteta janë të aksesueshme. Investimi dhe puna e përditshme po ashtu. Ne refuzojmë çdo shpifje, hamendje, apo dashakeqësi që keqinformon publikun për qëllime politike apo çfarëdo qëllimi tjetër.
Ftojmë mediat të vijnë pranë Zonës së Trajtimit të Mbetjeve, jemi të hapur për çdo sqarim dhe të gatshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën.
Integrated Energy BV SPV