Partia Socialiste ka propozuar disa ndryshime në Kodin Rrugor. Si pjesë të propozimit preken dhe shoferët e rinj, të cilët nuk duhet të tejkalojnë shpejtësinë në autostradë apo në rrugët interurbane kryesore. Konkretisht, shoferët e rinj brenda 3 viteve pas marrjes së lejedrejtimit të kategorive A dhe B nuk duhet t’ju lejohet tejkalimi i shpejtësisë prej 80 km/orë në autostrada si dhe 70 km/ orë në rrugët interurbane kryesore.
Me propozim të Partisë Socialiste mund të rritet mosha e shoferëve të kamionëve dhe autobusëve. Pensionistët deri në 70 vjeç do të drejtojnë autobusë, kamionë, çdo mjet për transport publik apo transport mallrash si dhe lejet e drejtimit për ta mund të jenë të vlefshme për 15 vite.
Pas ndryshimit të kodit rrugor duke ashpërsuar gjobat për tejkalimin e shpejtësisë dhe përdorimin e alkoolit gjatë drejtimit të mjeteve, grupi parlamentar i partisë socialiste propozon ndryshime të tjera ligjore përmes disa amendamenteve dërguar Kuvendit duke kërkuar rritjen e kufirit të moshës me 5 vjet për drejtimin e mjeteve për transportin publik.
Aktualisht kodi rrugor lejon shoferët deri në moshën 65 vjeç të drejtojnë autobusë apo kamionë e mjete të caktuara për transportin e njerëzve, por propozohet nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së që kjo pikë të shfuqizohet.