Pavarësisht se ka zgjedhur të jetë pjesë e grupit neutral në PD, duke pasur rezerva qoftë për Sali Berishën, apo për Lulzim Bashën, Tomorr Alizoti pohoi se do të jetë pjesë e protestës së 7 korrikut.
Deputeti demokrat tha se do të duhej të kishte pasur një marrje mendimi për të gjithë kolegët e tjerë, që nuk janë bërë pjesë e grupimit të Berishës, para se emrat e tyre të caktoheshin në zona të ndryshme, për organizimin e protestës.
Alizoti nuk kurseu as batutat me gazetarët, ku tha se asnjëherë më parë nuk kishte pasur një vëmendje kaq të madhe nga mediat në drejtim të tij.
“Mua nuk më ndiqni ndonjëherë me kaq shumë kamera si këta superstarët e politikës, marr pjesë me kënaqësi në çdo protestë kundër Edi Ramës, për grupin e punës nuk më ka njoftuar njeri. Unë do bashkëpunoj me të gjithë demokratët, protesta është e domosdoshme në këtë vend, në PD duhet të ishin marrë mendimet e të gjithë deputetëve. Ju falenderoj dhe për këtë vëmendjen e shtuar sot”, tha Alizoti.