Britanikët e dënuar më vdekje nga Rusia mund të shpëtohen nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo e fundit ka marrë masa të përkohshme që dënimi për vdekje për dy britanikët mos të zbatohet. Ende nuk dihet nëse Rusia do ta zbatojë urdhrin duke qenë se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka më juridiksion në vend. Shaun Pinner u kap nga rusët në Mariupol në prill së bashku me kolegun britanik Aiden Aslin gjatë një lufte intensive për kontrollin e qytetit port.
Dyshja u shpallën fajtorë për “veprimtari mercenare dhe kryerjen e veprimeve që synonin marrjen e pushtetit dhe përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës Popullore të Donetskut”, megjithëse familjet e tyre thonë se ata po luftonin në mënyrë legjitime si pjesë e ushtrisë ukrainase dhe duhet të trajtohen si robër lufte.
Gjykata tha në një deklaratë se “i tregoi veçanërisht qeverisë së Federatës Ruse, sipas nenit 39 (masat e përkohshme) të Rregullores së Gjykatës, se ata duhet të mos zbatojnë dënimin me vdekje”.