Dy alpinistë janë bllokuar sot në Majën e Brijasit në Valbonë. Sipas policisë, njëri pjej tyre ka thyer këmbën ndërsa në ndihmë të tyre kanë shkuar dhe 2 alpinistë të tjerë, të cilët ishin në një grup gjatë eksplorimit të malit në Valbonë. Ndërkohë, shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë së bashku me ekipin mjekësor janë nisur në drejtim të zonës ku dyshohet se janë bllokuar alpinistët. Pritet ndërhyrja me helikopter.
“Rreth orës 18:00, jemi njoftuar se në zonën e Valbonës, 2 shtetas (bashkëshortë / aplinistë), duke eksploruar zonën, për shkak të terrenit të thepisur, janë bllokuar dhe nga informacionet paraprake, njëri prej tyre është dëmtuar dhe në pamundësi për të lëvizur.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur në drejtim të zonës ku dyshohet se janë bllokuar alpinistët.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së turistëve nga zona që mund të përshkohet me automjete, është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës për shtetasit e dëmtuar.
Nga informacionet e deritanishme, 2 alpinistët e bllokuar po asistohen edhe nga 2 shtetas të tjerë (alpinistë), të cilët po eksploronin gjithashtu zonën e Valbonës.”-njofton policia.