Komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi ka komentuar vendimin e Bullgarisë për të miratuar propozimin e Macron për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e Shqipërisë dhe RVM në BE.
“Mirëpresim vendimin ndërpartiak të parlamentit bullgar që jep mandat të qartë për miratimin e propozimit francez. Tani na duhet vendimi i BE-së për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Evropa ec përpara!”, tha Varhelyi.
Parlamenti i Bullgarisë votoi sot për heqjen e vetos që ka bllokuar prej kohësh bisedimet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky veprim ngjall shpresa të reja se blloku mund të vazhdojë me planet e tij për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.
Vendimi u miratua me 170 vota për dhe 37 kundër në Parlamentin prej 240 anëtarësh, tha nënkryetari i këtij institucioni, Atanas Atanasov.