Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka përshëndetur vendimin e Presidentit Ilir Meta për të kthyer ligjin për menaxhimin e Parkut të Butrintit. Në një konferencë për mediat, Zhupa ka theksuar të gjitha problematikat e ngritura dhe nga Kreu i Shtetit në lidhje me këtë ligj dhe dhënien me koncension të parkut.
Sipas saj, ky ligj është një cenim i identitetit tonë kombëtar. Ajo gjithashtu shprehet se do të jetë një nga deputetet nismëtare të Komisionit të Posaçëm Parlamentar që ka kërkuar dhe Presidenti Meta.
Zhupa: Kam marrë nga përfaqësues të PS-së si Petro Koçi, që ata do bojkotonin çdo seancë dëgjimore me ekspertë dhe studiues. Koncensioni i Butrintit bie ndesh me rezolutën e Parlamentit Europian. Qeveria duhet të përmbushë konsultimet. Butrinti lidhet me identitetin kombëtar, Presidenti e ka rrëzuar këtë ligj. Rrëzimi i këtij ligji nuk duhet të jetë mbyllja e çështjes së menaxhimit të Butrintit. Nëse kolegët socialistë, duhet të votojnë dekretimin për rrëzimin e këtij ligji. Duhet të hapet një diskutim dhe një formë e re menaxhimi. Nuk duhet të përjashtojë privatin, pra të përfshihet në formën e një donatori. Sugjerohet që kjo iniciativë të diskutohet bashkë me dekretin e Presidentit. Do jem një nga deputetet nismëtare për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm, për të diskutuar menaxhimin e Parkut të Butrintit”, tha Zhupa.