Ish kryeministri Sali Berisha në një konferencë me gazetarët u shpreh se së bashku me Gazment Bardhin, duhet të thirret edhe Taulant Balla në prokurori për të dëshmuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
“Autori kryesor politik i ngjarjes është Taulant Balla dhe kjo është shumë evidente. Unë në Parlament jam shprehur që të dy ata janë përgjegjës politikë për ngjarjen. Por të thërrasësh Bardhin pa thirrur Ballën nuk bën asgjë tjetër vetëm provon SKAP-un e partisë. Balla nxori njerëzit me karta dhe lista votimi duke shpërndarë para. Unë nuk jam për hetim të njëanshme, unë jam për hetime të vërteta. Nuk mund që njëri të jetë mbi ligjin dhe tjetri nënë ligjin”, tha Berisha.
Krimi i rëndë erdhi pas një debati mbi pretendimet që kishte grupi i bodygardëve të PD-së, për disa karta identiteti, për të cilat Prokuroria e Elbasanit dhe hetimet tregojnë se nuk kanë ekzistuar. Në automjetin e dyshuar janë gjetur vetëm lista patronazhistëve që prokuroria i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në ditët në vijim pritet që Prokuroria të çojë një flet thirrje edhe për Gazment Bardhin, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por edhe si kryesuesi i listës së PD në Elbasan, ku ka bindje se nga ajo seli është dhënë urdhër për të qëlluar ndaj Pjerin Xhuvanit.