Policia e Shteti ka arritur të finalizojë fazën e nëntë të operacionit policor të koduar “Restart”, duke vënë në pranga dhe dy persona të akuzuar për trafik narkotikësh dhe çuar numrin e arrestimeve në 22.
Sipas policisë, në pranga ka rënë L. H., 41 vjeç, banues në Elbasan dhe Z. S., 65 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, kanë konstatuar dy personat në afërsi të fshatit Dobranj, Devoll dhe ju kanë bërë me shenjë të ndalonin.
Këta shtetas, sa kanë parë shërbimet e Policisë në drejtim të tyre, kanë tentuar të largohen me vrap dhe kanë hedhur në tokë tre çanta të zeza. Forcat e Policisë Kufitare dhe ato të Frontex-it, janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e ndalimin e tyre.
Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të çantave të tyre, u gjet një sasi prej 42 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.