Policia e Tiranës ka finalizuar dy operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve në orët e fundit.
“Blutë” e kryeqytetit bëjnë me dije se në pranga janë vënë katër persona, mes tyre tre të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç. Sipas policisë, gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Të rinjtë, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në zonën e quajtur “Ish-parku” dhe në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Gjithashtu në pranga ka rënë dhe R. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.