Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes së vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut që u mbajt në selinë e NATO-s, në Bruksel. Në qendër të diskutimeve të këtij takimi ishte forcimi i mëtejshëm i Aleancës dhe vijimi i mbështetjes për vendet partnere të NATO-s, në një kohë që agresioni rus në Ukrainë ka kaluar 100 ditë që nga nisja e tij.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se vendi ynë do të mbështesë dhe kontribuojë në rritjen dhe përforcimin edhe me kapacitete ushtarake të kufijve të Aleancës, në interes të mbrojtjes dhe ruajtjes së popullsisë së saj. Ministri Peleshi foli për projektin e ri të Porto Romanos që do të ofrojë edhe infrastrukturë të dedikuar për Forcat e Amrmatosura dhe Aleancën e NATO-s.
“Ne e vlerësojmë infrastrukturën tonë kritike, jo vetëm nga perspektiva kombëtare, por edhe nga ajo e Aleancës. Në këtë kuadër, duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike, Porti i Durrësit shërbeu si një qendër pritjeje e stërvitjes “Defender Europe 2021” gjë që dëshmon se është një pikë strategjike që lidh detin Adriatik dhe Detin e Zi që njihet ndryshe edhe si Korridori 8”,u shpreh në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu rëndësinë që ka në këtë situatë përshpejtimi i procesit të integrimit Euro-Atlantik të vendeve të rajonit.