Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një nga impiantet kryesore të mbledhjes e përpunimit të mbetjeve urbane në Romë.
Impianti i Malagrottas, prej disa orësh është nën flakë. Dhjetë skuadra zjarrfikësish po punojnë prej disa orësh për shuarjen e tij. Flakët e zjarrit kanë përfshirë fillimisht dy kapanone të grumbullimit të mbetjeve plastike e të letrës dhe zonën e gazifikimit e vaskën e grumbullimit të tyre.
Në një moment të dytë zjarri ka përfshirë dhe zonën e trajtimit mekanik e biologjik që përpunon çdo ditë rreth 900 tonë mbetje urbane të kryeqytetit. “Zjarri është shumë i komplikuar për t’u shuar”, kanë deklaruar drejtuesit e skuadrave të zjarrfikësve që po punojnë në vendngjarje. Në ndihmë të skuadrave të zjarrfikësve kanë mbërritur dhe repartet e aeroportit të Fiumicinos.
Ndërkohë Agjensia Rajonale për monitorimin e ajrit, ka organizuar një repart pune për të monitoruar nivelin e ndotjes e ka rekomanduar banorët të mbajnë të mbyllura dritaret për 24-48 orët e ardhshme.
Po vlerësohet gjithashtu që të mbahen të mbyllura kopshtet e çerdhet e zonës përreth, për t’u mbrojtur nga rreziku i mundshëm i dioksinës. Për momentin nuk ka asnjë pasojë në oraret e udhëtimeve në aeorportin e Fiumicinos e fluturimet po vazhdojnë rregullisht.
Prokurorët e Romës kanë nisur një hetim mbi zbardhjen e motivit të këtij zjarri e për të kuptuar nëse është një zjarrëvënie e qëllimshme apo jo.