Zbardhen të tjera detaje nga atentati me tritol pranë rrethrrotullimit të TEG, ku humbi jetën 27-vjeçari Aleksandër Sadikajt. Emisioni “Në Shenjestër” ka publikuar dëshminë e shtetasit Robert Gj., i cili ishte negociator mes Aleksandër Sadikajt dhe një personi nga Kuçova i cili i kishte një borxh 27-vjeçarit.
Negociatori rrëfeu dy takimet me Aleksandrin, para se ai të ekzekutohej në mënyrë makabre.
“Me datë 9 qershor jam takuar me Aleksandrin jashtë një qendre tregtare. I kërkova të pinim kafe, por ai nuk pranoi. Na tha se s’kishte kohë se është në ditëlindje. I thashë që kam ardhur për problemin me Peqen dhe i kërkova zgjidhje, duke i thënë që Peqja ja kishte vonuar lekët, por kërkonte ta mbyllte si problem. I thashë që do ja dërgoja unë lekët. Aleksandri m’u përgjigj që s’do të kishin më konflikte. Të nesërmen e kam takuar bashkë me Gerin te lokali i tij në Astir. I kam dhënë 15.500 euro. Aleksandri më tha që Peqja i kishte borxh 19.500, por unë iu përgjigja se aq lekë më kishte dhënë. Aleksandri u kujtua dhe ramë dakord. U futëm në makinë dhe i thashë lekët. I kërkova t’i numëronte.”-është shprehur Robert Gj në dëshminë e tij.
Në lidhje me ngjarjen Prokuroria po heton në disa pista, të cilat janë vrasje për larje hesapesh që lidhen me trafikun e drogës, për shkak të njohjes së tij me pjesëtarin e një grupi kriminal që vepron në Holandë, ose hakmarrje për shkak të së kaluarës së tij, si i përfshirë në një ngjarje në Greqi. si dhe mosmarrëveshje për pasurinë.