Qeveria gjermane i hapi rrugën ditën e sotme dërgimit të trupave për misionin paqeruajtës të BE-së në Bosnje për herë të parë prej një dekade, ndërsa rriten shqetësimet për paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor për shkak të luftës në Ukrainë.
Luftimet janë qindra kilometra larg Bosnjës, por vendi përballet me një lëvizje separatiste gjithnjë e më aktive nga serbët e Bosnjës, që analistët thonë se ka të paktën mbështetje të heshtur nga Moska.
Vetëm disa ditë pasi filloi agresioni rus në Ukrainë, BE-ja vendosi ta rrisë forcën e saj paqeruajtëse EUFOR nga 600 në 1100 trupa, duke dërguar rezerva për të shmangur paqëndrueshmërinë e mundshme.
Nga ana tjetër, Berlini ra dakord të dërgojë deri në 50 trupa për EUFOR-in, duke shënuar rikthimin tek kjo forcë për herë të parë që në vitin 2012. Disa nga trupat do t’u bashkohen të ashtuquajturave ekipe të ndërlidhjes dhe vëzhgimit në gjithë vendin në ndihmë të komandës së EUFOR-it, ndërsa të tjerat do të vendosen në Sarajevë.
Vendimi përfundimtar për dislokimin i takon parlamentit gjerman. Zyrtarët e lartë të NATO-s dhe të BE-së kanë paralajmëruar se paqëndrueshmëria nga lufta në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor.
Mandati aktual i EUFOR-it mbaron në nëntor dhe i takon Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendosë nëse do ta zgjasë edhe për një vit tjetër. Por shqetësimet po rriten se Moska mund të përdorë të drejtën e vetos kundër një marrëveshjeje për zgjatjen e afatit. EUFOR-i zëvendësoi trupat paqeruajtëse të NATO-s në Bosnje në vitin 2004. Objektivi i trupave evropiane është ruajtja e stabilitetit në vend, pas luftës së viteve 1990, që shkaktoi vdekjen e 100,000 vetëve./VOA