Deputeti i PD-së Dashamir Sula ka reaguar në lidhje me konferencën dy ditore që po mban qeveria e kryeministrit Edi Ramës, me njësinë e antikorrupsionit për të propaganduar një realitet që në vendin tonë nuk ekziston.
Në postimin e tij, Sula shkruan se askush nuk beson në vullnetin e qeverisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin, sa kohë që ish-kryebashkiakë si Agim Kajmaku rezultojnë trafikantë kokainë, ndërkohë që në Shqipëri pastronte paratë përmes tenderave publikë që merrte me kompanitë e tij.
“Të gjithë do ta besonim demagogjinë e kreut të mazhorancës se ai ka vërtet vullnet për të luftuar korrupsionin dhe kriminalitetin. Por ne sot e kemi shumë të freskët lajmin e arrestimit të ish-kryebashkiakut Agim Kajmaku në Itali me 20 kg kokainë. Ndërkohë që në Shqipëri Kajmaku fitonte tendera publik. Pastronte paratë e drogës me taksat e qytetarëve shqiptarë. Në Pallatin e Kongreseve të mbushur plot me punonjës administrate dhe qeverie ku u zhvillua dje konferenca anti korrupsion, ishte edhe Ambasadorja e SHBA Yuri Kim e cila me të drejtë apeloi që drejtësia të jetë vendimtare. Të luftojnë korrupsionin dhe kriminalitetin. Unë mbështes dhe i bashkohem thirrjes së kryediplomates. Thirrja nga Pallati i Kongreseve të mbushur me qeveritarë dhe administratë publike merr kuptimin e duhur. Partia Demokratike që nga 2013 nuk drejton asnjë institucion, ndërkohë që nga 2019 nuk drejton asnjë bashki. Ndaj është e qartë se kush e bën korrupsionin. Ndërkohë që nga DASH, Moneyval e KE me radhë kanë nxjerrë raportet se korrupsioni është në çdo qelizë të administratës publike ndërsa Shqipëria është kthyer në një lavatriçe të parave të krimit. E thënë thjesht: Korrupsionin nuk e bëjnë qytetarët dhe opozita, por qeveria dhe pushtetarët”, shprehet Sula.