Kanë dalë prova të pazbuluara më parë lidhur me konfliktin mes Kasandër Nogës dhe Erion Hasanbelliut, ky i fundit i plagosur në Belgjikë me 6 plumba. Hasanbelliu, ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Shqipëri, përfshirë edhe vrasjen e Julian Çelës dhe plagosjen e Kasandër Nogës, në Anvers të Belgjikës, ngjarje e ndodhur në 2002.
Lidhur me atentatin, ka dalë edhe dëshmia e kamarieres së lokalit ku ka ndodhur ngjarja. Ajo e ka identifikuar Hasanbelliun nga 6 fotot e personave që i kanë vendosur para dhe ka dhënë detaje nga ngjarja e asaj dite. Elena Bekerman e cila punonte kameriere në lokalin “Pre-Historie” ku ka ndodhur ngjarja, ka deklaruar se në datën 17.03.2002, rreth orës 17:00, dy persona kanë hyrë në lokal dhe kanë porositur një kafe dhe një çaj.
“Pas rreth 20 minuta kanë hyrë në lokal dy persona të tjerë dhe porositën çaj me qumësht dhe u ulën në të njëjtin vend ku ishin ulur dy personat që u kishte shërbyer më parë të cilët ishin ngritur nga tavolina. Papritur dy personat që u kishte shërbyer herën e parë, duke ardhur nga ëc-ja u sulën mbi dy personat e ulur pranë dritares. Ndërsa ishte duke vrapuar, një prej tyre qëlloi mbi këta dy persona rreth 5 herë. Pastaj të dy u larguan ne drejtim të “Sint- Gummarusstraat”. Personi që qëlloi kishte veshur një rrobë të verdhë të modelit Milet. Ishte rreth 1 metër e 85 cm i gjatë, flokë të zeza fytyrë të rrumbullakët. Personi tjetër ishte rreth 1 metër e 75 cm. i gjatë, kishte veshur një xhaketë lëkure të zezë me flokë të zeza me fytyrë të parruar. Të dy ishin rreth 25 vjeç dhe flisnin një gjuhë të panjohur për mua, them se ishte shqip” – ka rrëfyer ajo.
Sipas dosjes, dëshmitarja Elena Bekerman është marrë ne pyetje edhe 2 ditë pas ngjarjes më datën 19.03.2002. Ajo ka treguar se mori dy filxhanët nga tavolina, një çaji dhe një kafeje, pastaj dy personat shkuan në tualet dhe më pas sulmuan dy të tjerët.
“I kam larë menjëherë dhe i kam vendosur mbi raftin metalik. Të dy filxhanët e tjerë të pa pastruar janë të dy personave të tjerë që ishin ulur afër dritares” – ka thënë ajo.
Ndërkohë, më një javë më pas, në datën 28 mars 2002, dëshmitarja ka qenë pjesë e një paraqitjeje për njohjen e 6 personave me anë të fotografive, ku edhe ka identifikuar pa asnjë dyshim personin i cili ka qëlluar.
“Unë mund të them 100% e sigurt se numri 4 është ai që qëlloi. Ishte ai që bëri pagesën. Dy kriminelëve u shërbeu pronari i kafes por personi i fotos 4 erdhi tek unë dhe më bëri pagesën. Dhe unë mendoj se personi i fotos 4 i ngjan atij. Kriminelin e dytë nuk e kam parë mirë por di se ishte pak ezmer”- është shprehur Bekerman duke identifikuar Hasanbelliun.