Punonjësit e inceneratorit të Elbasanit janë ngritur sërish në protestë pasi nuk kanë marrë ende pagat e muajit mars. Kjo pasi firma u tërhoq ndërsa më pas inceneratori ia kaloi përgjegjësinë bashkisë Elbasan. Pas këtij momenti, punëtorët shprehen se u është ulur paga, ndërsa nuk marrin as atë minimalen.
“Rrogën e muajit mars ne nuk e kemi marrë, nuk e di pse na e kanë mohuar. Unë jam punëtori më i vjetër këtu, kam 7 vite dhe na dhemb mesi nga peshat e ndërkohë nuk marrim lekët”, tha një nga punëtorët.
“Sipas rregullave të punës kërkojmë rrogën e marsit, është viti i 3-të që punoj këtu. Me çfarë të blejmë ushqimet? Është industri këtu, me vështirësi me infeksione e kancer. 8 orë për 2 mijë e 500 lekë. S’na hapin as telefonat! Ne na duhet një sqarim”, u shpreh një tjetër.
Më herët, edhe punonjësit e inceneratorit të Fierit dolën në protestë për të njëjtin problem, pasi nuk ishin paguar, ndërsa inceneratori u sekuestrua nga SPAK.