Policia e Shtetit do të angazhojë 1300 punonjës policie për mbarëvajtjen e ndeshjes së Kombëtares shqiptare me Izraelin, e cila do të zhvillohet nesër në 20:45, në stadiumin “Air Albania”. Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Zef Laska përmes një deklarate për shtyp informoi masat që do të merren nesër.
Masat e marra nga Policia e Shtetit konsistojnë në disa plane:
Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Izraelit, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;
Kryerjen e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të pranohen tifozët;
Organizimin e pikave të kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium në rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe tek “Kolonat” në sheshin “Italia”;
Mbështetjen e stjuartëve gjatë kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium;
Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, një rendësi të veçantë i kemi kushtuar bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:
Federatën Shqiptare të Futbollit;
Policinë Bashkiake;
Shërbimin Zjarrfikës;
Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Po kështu kemi vendosur kontaktet dhe po bashkëpunojnë edhe me personelin e sherbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Izraelit, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 10 qershor 2022, nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Masa të veçanta janë parashikuar dhe do të zbatohen për kontrollin e tifozëve para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, si edhe përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike.
Më këtë rast dëshirojmë t’u rikujtojmë të gjithë qytetarëve se, në bazë të Kodit Penal të vendit tonë, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Gjithashtu, në bazë të Kodit Penal, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si: hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, për zbatimin e rregullave të hyrjes dhe të qëndrimit në stadium, si dhe respektimin e masave kufizuese për qarkullimin, në mënyrë që të sigurojmë mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
Në përfundim, sigurojmë të gjithë qytetarët për gatishmërinë e plotë të strukturave të Policisë së Shtetit, për të garantuar standardet e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.” tha Laska.
Shtëpitë e Kranes rrezikojnë të shemben, Romeo i Finiqit bën pazarin e 84 MLN lekëve
Romeo Çakuli i bashkisë Finiq bën pazare me tenderë edhe kur bëhet fjalë për një rrezik të lartë që iu...