Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim 4 të rinjtë të cilët u përfshinë në një konflikt ditën e djeshme në Ksamil me familjen Ahmeti.
Blutë bëjnë me dije se u shpallën në kërkim shtetasit: Gj. A., 22 vjeç; K. P., 21 vjeç; E. M., 22 vjeç, dhe S. A., 18 vjeç, banues në Shëndëlli, Sarandë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Mësohet se familja Ahmeti u konfliktua me familjen fqinje pas një debati verbal mes tyre. Të lënduar mbetën Tiku Ahmeti, Luli Ahmeti dhe Flamur Ahmeti pas sherrit me grushte dhe sende të forta.
Luli Ahmeti u nis dje drejt Tiranës me helikopter pasi kishte marrë plagë më të rënda, ndërkohë që dy të plagosurit e tjerë u trajtuan në spitalin e Sarandës.
Tiku Ahmeti, i cili ushtron një aktivitet biznesi në zonë ka thyerje të kockave në trup, kurse Flamuri ka dëmtime më të lehta. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.