Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar sot me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ku u përqendruan në disa çështje rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Vuçiç shprehu përshtypjet e tij nga ky takim, duke thënë se është i kënaqur me mënyrën se si ka shkuar biseda si dhe është shprehur optimist për vijimin e dialogun me Kosovën.
“Si gjithmonë, një bisedë e hapur dhe e sinqertë me Miroslav Lajçak për situatën në rajon, si dhe për të gjitha temat me interes për të vazhduar në mënyrë konstruktive dialogun me Prishtinën”, tha Vuçiç.
Vuçiç u shpreh se ata janë pajtuar me mendimin se përmbushja e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit mbetet mesazhi kyç për çdo bisedë të mëtejshme me Prishtinën.
“Unë ritheksova përkushtimin e plotë të Republikës së Serbisë për vazhdimin e këtij procesi dhe përpjekjet për të arritur një zgjidhje kompromisi për të krijuar marrëdhënie më të mira ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. U pajtuam që bashkëpunimi rajonal, së bashku me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, është rruga e vetme e drejtë për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.