Një shpërthim i fuqishëm tronditi fshatin Hot i Ri në Shkodër në orët e para të mëngjesit të sotëm. Tritoli në banesën e policit Pëllumb Vukaj shkaktoi dëme të mëdha. Mësohet se gjatë ngjarjes familjarët e tij ishin në gjumë dhe ishte shpërthimi ai që i zgjoi. Brenda banesës kanë qenë edhe dy djemtë dhe bashkëshortja e tij. Shpërthimi i fuqishëm që është dëgjuar në gjithë zonën e fshatit Hot i Ri ku jeton familja e efektivit Vukaj i ka zgjuar menjëherë. Familjarët dhe vetë efektivi nuk kanë pësuar lëndime ndërsa banesa dhe automjeti i tij që ndodhej i parkuar në oborr kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Pas kësaj ngjarje rë rëndë efektivit i policisë Pëllumb Vukaj deklaroi se dyshimet e tij janë se vendosja e tritolit mund të jetë për shkak të detyrës, por nuk ka një ide konkrete se kush mund të jetë por këtë ngjarje e lidh me punën e tij. “Nuk e di se kush mund të jenë autorët sepse nuk kam pasur konlikte ose kërcënime të drejtpërdrejta. Ajo që dyshoj është se mund të ketë ardhur për shkak të detyrës time”.
Pëllumb Vukaj punon prej 27 vitesh në policinë e shtetit dhe ndër këto vite ka pasur detyra të ndryshme që nga aksionet e drogës, hetimet e vrasjeve dhe hetime të tjera të ngjarjeve të rënda. Dyshimet e policisë vendore të Shkodrës për momentin janë për shkak të hetimeve që Vukaj ka bërë për aksione të ndryshme droge, arrestimin e personave të ndryshëm që janë marrë më kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.