Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tregoi sot në Kuvend kushtin e PS për të votuar Simon Mirakën në Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Ai u shpreh se nëse Sali Berisha hiqet nga lista e propozuesve të kësaj kandidature, janë të gatshëm ta votojnë Mirakën, ndërsa iu përgjigj ish kryeministrit dhe për diskriminim e veriut duke thënë se qeveria aktuale ka investuar më shumë se ajo e Berishës në Tropojë.
“Nuk dua të hy në replikë me ndonjë parafolës. Parafolësi që sapo kreun ushtrimin e radhës këtu në foltore nuk meriton të hyj në vendimmarrje. Komisioni ka marrë vendimin e duhur. Komisioni verifikon nëse kandidatura plotëson kriteret e përcaktuara nga ligji. Zoti Simon Miraka që unë e kam votuar, kolegët e mi e kanë votuar pak vite më parë në një autoritet që e ngriti kjo shumicë. Nuk u ngrit kurrë një institucion që të hedhë dritë në dosjet e ish sigurimit të shtetit. Ai që sapo bëri zhurmën e radhës këtu ka dritëhijet e tij në marrëdhënie me institucionin. I bëj thirrje firmëtarëve të heqin emrin e Katranit të vijnë me një listë të re. Kemi kohë në dispozicion dhe ta risjellin. Sa i përket përpjekjes shumë vjeçare për të mbjellë ndasi mes veriut dhe jugut të Shqipërisë sikur këtu ka ndarje mes veriut dhe jugut për të kritikuar qeverinë sikur paskemi lënë pas dore veriun. Shembulli më domethënës janë investimet e kësaj qeverie në Tropojë. Të marrë pamjet si ishte Bajram Curri në vitin 2013 dhe si është sot. Le t’i krahasojmë. Jam i gatshëm”, deklaroi Balla.