Pjesëmarrja e Shqipërisë këtë vit në Eurovision u shoqërua me zhurmë të madhe mediatike. Këngëtarja e njohur Ronela Hajati nuk arriti dot të kualifikohet për në finale. Kjo u hapi shteg kritikëve, që rezervat i kishin që kur u shpall fituese e Festivalit të RTSH. Një nga zërat më të zëshëm ka qenë kompozitorja dhe kritikja e artit Diana Zi.
E ftuar në “Expuls” në RTV Ora ajo e trajton këtë çështje përtej Ronelës. Ziu thotë se problemi nis nga bërthama e brendshme e RTSH që sipas saj po çalon së fundmi. Po kaq shije të hidhur i kanë lënë dhe debatet televizive post-Festival, ku veçon gazetaret Dasara Karaiskaj dhe Fjodora Fjora.
Ziu: Nuk mund të flasë një gazetare ato fjalë të pista që ajo tha, që unë nuk i them këtu. Ça kulture ka ajo. Kush e njeh si gazetare kulture, ça ka bërë. Bëhet fjalë për një vajzë që e kishte emrin Desara. Ulëritën më shumë se sa vet kënga që ishte atje. Tashi o bëje emisionin tamam ose mos e bëj. për të rritur audiencën nuk bëhet duke thirrur tallavanë e këtyre gazetareve. Ishin shumë qesharake, diskutimi që bëri edhe njëra edhe tjetra. Mu duk e pabesueshmeqë po e shihja në një kanal kaq të rëndësishëm. Kjo gjë më bëri të vijë deri këtu.