Pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani reagon dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. AI shprehet se është mirënjohës që Nishani gjatë mandatit të tij i ka dhënë shtetësinë shqiptare.
Kurti shkruan në Facebook se Nishani do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak, pedagog, deputete e ministër.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër. Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.
Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, shprehet Kurti.