Kryeinspektori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Ermal Kapllani, në vitin 2017 u përfshi në listën e 100 zyrtarëve më të korruptuar nga kryeministri Edi Rama. Por kjo nuk e ka penguar Veliajn i cili i dha “një dorë” duke e kthyer në drejtor gjobash. Nëse në vitin 2017 kishim 32,342 gjoba, në vitin 2018 gjobat janë dyfishuar duke shkuar në 74,191. Duke llogaritur numrin e gjobave për vitin 2018 dhe po t’i pjesëtojmë me 264 ditë pune (kur funksionon parkimi me pagesë nga e hëna në të premte), rezulton se janë vendosur 281 gjoba në ditë ose rreth 2 gjoba për çdo 1 minutë.
Mirëpo Bashkia e Tiranës nuk është ndalur me kaq, ku prej kohësh në Tiranë jo vetëm në rrugët kryesore por dhe në skutat më të fshehura, qindra punonjës të Policisë Bashkiake vendosin gjoba nën argumentin se “nuk janë rezidentë”. Ky është një realitet që qytetarët vendas apo të ardhur në Tiranë po hasin çdo ditë, duke u rrjepur nga Veliaj.
Kujtojmë që aso kohe Rama këtë lëvizje e ndërmori për të spastruar drejtorët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por mes emrave të korruptuarve u denoncuan edhe të tijët. Ku pas Kapllani, në vendin e 51 ishte Toni Beni, zv. Drejtori i Policisë Bashkiake në Tiranë.
Prej vitesh tashmë, të dy këta zyrtarë, Ermal Kapllani dhe Toni Beni, janë kthyer në tmerrin e tregtarëve të kryeqytetit. Policia Bashkiake e Tiranës, me në krye Kapllanin dhe zëdhënësin e tij Benin, u kanë hequr ushqimin familjeve të cilat tregtonin për të siguruar mbijetesën. Aksionet e tyre mbahen mend për sekuestrimin apo dhunimin e karrocave të kokoshkave, arkave me perime dhe misrave të pjekur.