Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ka mbërritur në edicionin e tij të VI, duke u mbajtur si gjithmonë në Progradec, por kësaj here nga 31 korriku deri më 5 gusht.
E lindur si një dëshirë komunikimi dhe kontakti mes kineastëve të Ballkanit, në një rajon me sfida dhe problematika të përbashkëta, festivali në çdo edicion po përforcon misionin e tij për nxitjen e marrëdhënieve ndërkulturore, si dhe prezantimin e burimeve turistike të kësaj zone.
“Festivali ngelet po ai, ballkanik. Me filma ballkanikë, dokumentarë, filma të shkurtër, filma studentë dhe filma të gjatë”, shprehet Eno Milkani, drejtor i festivalit.
Në edicionin e këtij viti janë në konkurrim afro 100 filma nga të gjitha vendet e Ballkanit. Por listës së tyre do t’i shtohen edhe filmat jokonkurrues. Ky festival është edhe një mundësi e mirë dialogu mes kineastësh shqiptarë, që do të jenë pjesëmarrës në të.
Ndërsa Presidente Nderi e festivalit është Margarita Xhepa.
“Ne mundohemi që nëpërmjet filmit, sepse çdokush që vjen në festival dhe më pas kthehet, është një lloj ambasadori i asaj që do të ndodhë në Pogradec”, thotë më tej Eno Milkani.
Çdo natë, në kinematë verore do të shfaqen filma me protagonistë aktorin Bekim Fehmiu, në përkujtim të 80-vjetorit të lindjes. Një koloni piktorësh të Universitetit të Arteve do të realizojnë peizazhe nga Pogradeci, por një tjetër risi është edhe “Mish Mash Film Production”.
“Grup të rinjsh nga Ballkani, të cilët mblidhen në Pogradec dhe krijojnë filma të shkurtër. Këtë vit vjen me mbështetjen e UNESCO-s dhe tema do të jetë liqeni”, shprehet Gerta Furku, kuratore e festivalit