Operacioni i SPAK dhe Policisë së Shtetit “Plumbi i artë”, i finalizuar pak ditë më parë me arrestimin e 18 personave dhe shpalljen në kërkim të 14 pesonave të tjerë vijon ende. Ndërkaq gazetari Julian Kasapi i ftuar në emisionin “Open” ka zbuluar se në dosjen e hetuesve ka dhe emra prokurorësh, njëra prej të cilëve sipas tij ka dhënë dorëheqjen. Ai u shpreh se vrasjet bëhen edhe nga burgu dhe që nga anëtarët e bandave kriminale është kthyer në një biznes.
“Nuredin Dumani shumicën e ka të dëgjuar nga grupi kriminal. Kjo mbetet sfidë e SPAK-ut ëpr të bërë kryqëzim të dhënash. Këtu dosjet dalin, nuk është se qenkan sekret shtetëror. Për ngjarje të tilla faktikisht dëshmitë e Dumanit janë kryqëzuar edhe me ato të Hoxhajt dhe ka rezultuar se kemi të bëjmë me gjëra të vërteta.
Ai ka shkuar në vendet që kanë ndodhur vrasjet, për të mësuar se si ka ndodhur dinamizmi i ngjarjes. Patjetër që ka emra, bëhet fjalë për 2 Prokurorë në Durrës, njëra ka dhënë dorëheqjen. Në këtë histori dy gjëra të bëjnë përshtypje. E para është që vrasjet e tyre është thjesht çështje biznesi dhe s’u bën përshtypje. Por ku në këtë zinxhir përfshihet policia, patjetër na bën përshtypje.
SPAK-u të dalë zyrtarisht për këtë histori. Një tjetër gjë është se ç’ndodh në burgjet shqiptare. Ai ka qenë dy herë në burg. Po na del se shumica e vrasjeve bëhen edhe nga burgjet. Ky nuk është rasti i vetëm”, u shpreh gazetari.