“A Live Night” është prodhimi më i ri në Top Channel që absolutisht është një risi e ekraneve tona. Deri më tani keni pasur mundësinë të shihni në intervista shumë më ndryshe nga sa jeni mësuar disa nga artistët e “A Live Night” dhe t’i dëgjoni duke performuar live teksa na falin një emocion shumë të veçantë duke performuar hitet e tyre ndër vite.
Pas rrëfimit të Arilena Arës, Ylli Limanit dhe Ronela Hajatit, mbrëmjen e sotme është i ftuar Capital T për të thënë gjithçka që nuk dinim nga artisti, duke nisur nga fëmijëria, vështirësitë që ka kaluar për të qenë këtu ku është sot si një personazh i konfirmuar, mendimin e tij mbi tregun muzikor në ditët e sotme, jetën personale e të tjera.
Artisti njihet për publikun si një njeri që nuk para tregon shumë rreth vetes së tij dhe kjo gjë e ka bërë shpesh të konsiderohet si ‘i ftohtë’, por çfarë mendimi ka Kapo lidhur me këtë?
“Mendoj që si figurë publike te njerëzit që nuk kam afërsi, kam një lloj barriere që nuk i lejoj të më shijojnë 100%-shin tim, kurse me njerëzit e afërt jam shumë më ndryshe, shumë më i hapur, më i afërt. Për sa i përket karakterit, virtytit mendoj që çdo gjë që kam si njeri e kam edhe si artist. Si person nuk kam preferuar asnjëherë të përdor strategji, role kam pasur qejf me punë me arrit atje ku dua të arrij dhe jo me skandale si ka shumë artistë nëpër botë, jo vetëm te ne. Unë nuk kam preferuar.”
E gjithashtu, nga ana tjetër lidhur me jetën e tij private Capital T ka qenë shumë i rezervuar, por ekskluzivisht për “A Live Night” reperi na flet më shumë se çfarë e ka bërë të jetë kështu dhe gjëra të tjera të cilat nuk i dinim më parë.
“Jeta private nis menjëherë me fjalën e dytë, ‘private’ prandaj dhe unë kam pasur qejf ta mbaj private. Mendoj që gjërat më të mira duhet t’i mbash për vete. Lidhja është diçka shumë personale dhe përdor shumë elementë të ndryshme që ndoshta nuk shfaqen në raporte të tjera. Unë nuk kam dashur ta shfaq pikërisht prej frikës se do shkatërrohet diçka e mirë për shkak të mentalitetit. Për të mos i cënuar privatësinë personit që kam në krah se ndoshta nuk ka dëshirë, pasi jo çdokush që kam pasur lidhje ka qenë personazh publik, në fakt tepër pak ka që kanë qenë, kryesisht kanë qenë njerëz që kanë jetë normale. E di që ndoshta shumë më kishte ndihmuar në karrierë, po për mua puna është primare dhe atë pjesë e kam ruajtur si thesar të çmuar dhe nuk e kam shitur për asgjë.”