Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Kroaci, ku drejtuesi i një mjeti ka ushtruar dhunë ndaj një të moshuare e cila ishte duke kaluar rrugën, për shkak se sipas shoferit ajo po ecte shumë ngadalë. Shoferi i makinës ka rrahur rëndë 78-vjeçaren që ishte në lëvizje, e cila ka përfunduar me lëndime të rënda trupore dhe menjëherë është dashur t’i nënshtrohet operacionit në spitalin e Zagrebit.
“Shoferi 38-vjeçar ka kryer një vepër penale ndaj një personi në moshë të shtyrë, padyshim me gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi 78 vjeçarja ecte me bastun” – tha prokuroria.
Prokuroria deklaroi se drejtuesi e mjetit nuk i ka mbajtur nën kontroll emocionet e inatit dhe tronditjes e për pasojë ka ndaluar mjetin. Më pas ai doli nga automjeti dhe në vend që të konstatonte nëse viktima kishte nevojë për ndihmë, ai e sulmoi fillimisht verbalisht e më pas edhe fizikisht.
Shoferi e ka goditur gruan me shkop disa herë në të gjithë trupin e më pas e ka shtyrë me të dyja duart. Më pas e moshuara ra në tokë dhe pësoi një dëmtim shumë kompleks nga një frakturë e bazës së qafës së femurit të majtë.
“Për fat të mirë, është shmangur një pasojë më e rëndë”, thanë prokurorët.
Shoferi u shpall fajtor dhe u dënua me një vit liri me kusht. Prokurorët apeluan dhe kërkuan dënim me burg të pakushtëzuar, duke qenë se shoferi ishte dënuar më parë për kundërvajtje të shumta në trafik.